Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREVuçiç: Nuk mund ta pengojmë hyrjen e Kosovës në NATO-KE

Vuçiç: Nuk mund ta pengojmë hyrjen e Kosovës në NATO-KE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se plani i Bashkimit Evropian për Kosovën, i paraqitur nga përfaqësuesit perëndimorë, është bërë një kornizë e re negociuese për Serbinë në procesin e integrimit evropian dhe se refuzimi i këtij plani do të shkaktojë dëme të mëdha për Serbinë. Presidenti Vuçiç ka njoftuar anëtarët e qeverisë për situatën, sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet Serbia kur bëhet fjalë për Kosovën. Dje në mbrëmje presidenti Vuçiç në një konferencë për media, iu drejtua publikut duke folur për takimin e së premtes në Beograd me përfaqësues të Bashkimit Evropian, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Ai ka theksuar se në takim i është thënë qartë se Serbia nuk do të mund të përparojë nëse nuk bashkëpunon për çështjen e Kosovës. Vuçiç tha se në takim me ndërkombëtarët i është thënë se në rast të refuzimit të planit të BE-së për Kosovën, pasojat për Serbinë do të jenë ndërprerja e procesit të integrimit evropian, ndalimi dhe tërheqja e investimeve perëndimore si dhe masa gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike që do të shkaktojnë dëme të mëdha për Serbinë. Vuçiç tha qartë se Serbia nuk do të mund të përparojë nëse nuk bashkëpunon për çështjen e Kosovës. Ai theksoi se kjo i është përsëritur tre herë gjatë bisedës dhe shtoi se çdo herë ka reaguar shumë ashpër. ”Edhe pse mund të reagoja emocionalisht, të them largoni këto ose hidhini, puna ime është të kujdesem për shtetin”, u shpreh Vuçiç. Duke përsëritur se plani është i kushtëzuar me vazhdimin e rrugës së BE-së dhe investimeve, Vuçiç tha se Serbia duhet të kërkojë një kompromis. ”Nuk mund ta pengojmë hyrjen e Kosovës në NATO dhe në Këshillin e Evropës”, tha Vuçiç duke theksuar se negociatat me përfaqësuesit e Perëndimit ishin jashtëzakonisht të vështira. Vuçiç po ashtu paralajmëroi se do të ishte çështje javësh për t’u tërhequr regjimi pa viza i Serbisë me BE-në nëse ai të premten në Beograd do të thoshte se nuk dëshironte të diskutojë planin franko-gjerman për Kosovën, të cilin të gjitha anëtarët e BE-së e pranuan. ”Serbia duhet të marrë pjesë në dialog, duhet të vazhdojë rrugën evropiane, jo sepse e admiroj hipokrizinë e tyre, por sepse ekonomikisht duhet të mbijetojmë dhe të përparojmë. Nuk duhet të izolohemi”, tha Vuçiç. ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments