Mot i paqëndrueshëm gjatë gjithë kësaj jave. Meteorologu Hakil Osmani thotë se pjesa e parë e javës do të jetë me vranësira dhe reshje me intensitete të ulëta. Në pjesën e dytë të javës, reshjet do të jenë në intensitet mesatar ndërkohë që priten edhe reshje dëbore, kryesisht në zonat e thella malore.
“Kjo javë do të jetë në mbizotërimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, duke bërë që të kemi vranësira të dendura, të cilat herë pas herë do të pësojnë zhvillime. Në pjesën e parë të javës kemi reshje me intensitete të ulëta, lokalisht, deri në mesatare në Ultësirën Perëndimore ndërsa në zonat malore rishfaqje reshje të dëborës. Pjesa e dytë e javës do t’i bëjë reshjet me intensitet mesatar, duke bërë që herë pas here të kemi prezent edhe rrebeshe shiu në Ultësirën Perëndimore ndërsa në zonat malore mbeten të lokalizuara kryesisht me reshje dëbore vetëm në zonat e thella malore.
Sa i përket temperaturave të ajrit, në orët e para të mëngjesit në fillim javë regjistrohen -2 gradë në qytetet e zonave malore ndërsa maksimumet mbeten në vlerën 16 gradë. Nga pjesa e dytë e javës do të kemi rritje të temperaturave të ajrit, më e ndjeshme do të jenë në orët e para të mëngjesit me vlera 0 apo 1 gradë në qytetet e zonave malore ndërsa maksimumet në Ultësirën Perëndimore mbeten në 16 apo 17 gradë celcius. Në mesjavë kemi fuqizim të parametrit të erës, duke bërë që të jetë me shpejtësi edhe mbi 65 km/orë.”, tha Osmani.
Edhe Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të jenë nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm me vranësira të dendura dhe reshje shiu dhe dëbore./abcnews.al