Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vizitoi sot ishullin e Lampedusas në Itali, pasi thirrjet për të adresuar mbërritjen e paprecedentë të migrantëve me anije në kufijtë e BE-së intensifikohen. Von der Leyen iu përgjigj ftesës së drejtpërdrejtë nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila e shoqëroi lideren gjermane në ishull. Von der Leyen dhe Meloni vëzhguan qendrën e pritjes dhe folën me disa nga migrantët. “Ne po bëjmë më të mirën”, tha Meloni. Autoritetet italiane raportuan një rekord prej më shumë se 5 100 migrantësh që mbërritën në Lampedusa të mërkurën e kaluar. Këshilli i qytetit të ishullit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të mërkurën, pasi autoritetet italiane raportuan një rekord prej më shumë se 5 100 migrantësh që mbërritën në Lampedusa të mërkurën e kaluar, në ishullin midis Siçilisë dhe Afrikës së Veriut brenda një dite, duke çuar në mbipopullim në kampin e pritjes. Politikania italiane e ekstremit të djathtë bëri thirrje për një operacion evropian të menjëhershëm, për të ndaluar anijet me migrantë. Meloni dhe von der Leyen vizituan Tunizinë së bashku në qershor, pika e përbashkët e nisjes për migrantët që përpiqen të arrijnë në Evropë. Bashkimi Evropian po planifikon një marrëveshje me vendin afrikano-verior, në këmbim të ndihmës financiare, Tunizia do të ndërmarrë veprime më të forta kundër kontrabandistëve dhe kalimeve të parregullta. Vendet anëtare të BE-së nuk kanë arritur ende të bien dakord për një reformë gjithëpërfshirëse të sistemit evropian të azilit. Kryesisht, vendet anëtare në kufijtë e jashtëm të BE-së ankohen për mungesë solidariteti nga ana e partnerëve të tjerë. Të shtunën, një foshnjë e porsalindur vdiq në një varkë që mbërriti në Lampedusa. Nëna e saj kishte lindur me ndihmën e njerëzve të tjerë në varkë. Për shkak të afërsisë me qytetin bregdetar tunizian të Sfaksit, Lampedusa ka qenë prej vitesh një nga destinacionet kryesore për migrantët nga Afrika e Veriut që kërkojnë të arrijnë në brigjet evropiane.