Presidentja e Komisionit Evropianë, Ursula Von Der Leyen, në çelje të Samitit të Procesit të Berlinit, që po zhvillohet në Tiranë, bëri apel për bashkëpunim të plotë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE, me qëllim që ky rajon të kthehet sa më shpejt në zemër të Bashkimit Evropian.
Von Der Leyen, nënvizoi se Bashkimi Evropian ka nevojë për miqtë e saj në Ballkanin Perëndimor.
“Vetëm duke punuar së bashku, do të bëjmë të mundur që Ballkani Perëndimor të vijë aty ku meriton, në zemër të Bashkimit Evropian. Këto janë momente kyçe, momente të rëndësishme vendimmarrëse, mos i lini mundësitë t’ju shpëtojnë, kapeni momentin”, bëri apel Von Der Leyen.
Në fjalën e saj, Presidentja e Komisionit Evropianë, solli në vëmendje konfliktin në Ukrainë dhe Izrael.
“Çfarë historish kemi parë në ekranet tona. Çfarë mesazhi i fuqishëm është ky samit sot. Kjo është hera e dhjetë që ne takohemi, hera e parë që ndodh në rajon. Ju (Edi Rama) e shpjeguat se jemi dëshmitarë të një lufte të tmerrshme që ka nisur Rusia me agresionin e saj në Ukrainë. Kemi parë dhe një sulm të tmerrshëm të terrorist të Hamasit në Izrael, duke vrarë gra, burra, fëmijë, më shumë se 1 400 persona kanë mbetur viktimë të agresionit dhe vetëm se janë hebrenj. Në këto kohë na duhen miqtë më të mirë të mundshëm. Prandaj le të punojmë së bashku që ju të bëheni pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Presidentja e Komisionit Evropianë Ursula Von Der Leyen.
Po ashtu, zyrtarja e lartë e Bashkimit Evropianë, vlerësoi si mjaft të rëndësishëm çeljen e programit master në Kolegjin e Evropës që do të zhvillohet në Tiranë nga viti i ardhshëm akademik.
“Dje lançuam programin e Kolegjit të Europës. Studentët do të vijnë nga Shqipëria, Ballkani dhe e gjithë Europa do të kenë një mundësi të artë për të mësuar se si punohet në Bashkimin Evropian, për të qenë më afër me BE. Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm”, shtoi Von Der Leyen.
Bashkëpunimi ekonomik, sipas saj, është kryefjalë e Procesit të Berlinit.
“Ky proces nisi në vitin 2014. Synimi ishte për të ecur përpara në rajon dhe për të forcuar bashkëpunonim rajonal ekonomik. Kemi hedhur themele të forta me planin tonë të investimit ekonomik prej 30 miliardë euro. 16 miliardë euro janë përdorur tashmë”, tha Von Der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropianë shtoi se BE dëshiron të hapi dyert e tregut të saj për Ballkanin Perëndimor, por për këtë duhen plotësuar kushtet nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Dua t’ju them se sa herë kemi patur zgjerim, vendet jo anëtare të BE pas anëtarësimit kanë patur rritje ekonomike, po ashtu edhe vetë tregu evropian është zhvilluar, pasi është bërë më i madh. Ne duam të hapim për vendet e Ballkanit Perëndimor në tregun evropian, lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve dhe shërbimeve, tregu digjital, shërbimet, pagesat pa para në dorë, për ta bërë më të lehtë dhe për të patur transaksionet si në BE”, shtoi Von Der Leyen.
“Por, hapja e dyerve nuk mjafton, vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të plotësojnë tregun e tyre rajonal të përbashkët. Është kusht që dhe vendet e Ballkanit Perëndimor t’i ofrojnë qasje fqinjëve të tyre. Në rast se ka bllokime, është se bllokojnë veten. Për të ecur përpara duhen reforma, reforma të thella për të përmirësuar klimën e biznesit”, tha Von Der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropianë e mbylli fjalën e saj, duke ritheksuar se “vetëm duke punuar së bashku, do të bëjmë të mundur që Ballkani Perëndimor të vijë aty ku meriton, në zemër të Bashkimit Evropian. Këto janë momente kyçe, momente të rëndësishme vendimmarrëse, mos i lini mundësitë t’ju shpëtojnë, kapeni momentin”.
Sot në Tiranë po mbahet Samiti i Procesit të Berlinit i cili mbahet për herë të parë jashtë kufijve të VE. Samiti ka bërë bashkë, të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit, të shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së.