Wednesday, November 27, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREVon der Leyen: 1 miliard euro për 6 vendet e rajonit

Von der Leyen: 1 miliard euro për 6 vendet e rajonit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi sot se “Komisioni Europian do të japë një paketë të konsiderueshme mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor në vlerën 1 miliard euro në grante”. Në konferencën e përbashkët për shtyp në Berlin, me kryeministrin Edi Rama dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, Ursula von der Leyen tha se, “kjo paketë mbështetëse do të ndahet në dy pjesë”. “Pjesa e parë 500 milionë euro grante është si një mbështetje e menjëhershme financiare për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, që të mbështesin familjet dhe bizneset në nevojë. Kjo paketë mbështetëse do të miratohet në dhjetor dhe do të vihet në zbatim në muajin janar 2023”, theksoi Ursula von der Leyen. “Ndërsa pjesa e dytë, 500 milionë euro në në grante do ti kushtohet investimeve në infrastrukturën e energjisë, me fokus te gazi dhe energjia e rinovueshme”, theksoi ajo. Von der Leyen tha se “synimi ynë është për ti sjellë liderët e Ballkanit Perëndimor sa më pranë dhe shpejt të jetë e mundur dhe për këtë kemi dy drejtime. Një drejtim pune është procesi i zgjerimit, ku kemi bërë ecuri të mirë dhe Komisioni e ka vendosur sërish në tryezë zgjerimin që prej ditës së parë të mandatit tim”. Ajo vuri në dukje se tashmë është siguruar marrëveshja për një metodikë të re zgjerimi, që ka çelur rrugën jo vetëm për të zhbllokuar vendimet që ishin shumë të rëndësishme, po ka sjellë besueshmërinë të gjithë procesit. “Kemi në tryezë një plan të konsiderueshëm prej 30 miliardësh investime ekonomike në rajon, që është 1/3 e PBB-së të gjithë rajonit. Përveç kësaj, ky vit shënoi edhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që nisi procesin në fushën e legjislacionit. Më duhet të them që ky përparim i mirë, i dashur Edi Rama, erdhi për shkak të progresit që bënë vendet e Ballkanit Perëndimor, pra është suksesi juaj”, deklaroi ajo, teksa theksoi se, drejtimi i dytë është Procesi i Berlinit. Gjatë fjalës së saj, ajo ndal edhe në zhvillimet aktuale. “Ne po përballemi me shumë sfida, pikë së pari me pushtimin rus të Ukrainës, megjithatë sa më shumë të zgjatë kjo aq më shumë të vendosur jemi të qëndrojmë së bashku dhe të rezistojmë. Ne e dimë që investimet tona në Ballkanin Perëndimor, janë të rëndësishme jo vetëm për një mjedis të mirë biznesi, por këto investime janë investime për paqen, stabilitetin, dhe prosperitetin e Europës. Në këtë sfond ne kemi diskutuar pasojat e luftës mbi energjinë dhe deklarata e sotme për sigurinë energjetike dhe axhendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor shënjojnë një hap të rëndësishëm. Ashtu siç tha Kancelari, jemi të bashkuar sa i përket asnjanësisë klimatike deri në vitin 2030”, deklaroi Von der Leyen. Ajo vuri në dukje se, si në një komunitet energjetik, në një periudhë afatshkurtër duhet të diversifikojnë burimet e energjisë dhe të ulim varësinë nga karburantet e Rusisë. “Kjo krizë e pashembullt kërkon hapa dhe veprime të pashembullta. Ndaj kam kënaqësinë të deklaroj se Komisioni do japë një paketë të konsiderueshme mbështetjeje, 1 miliard euro, për vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu do të punojmë për të lehtësuar e siguruar aksesin në të gjitha tubacionet gazsjellëse, me qëllim që në momentin kur dikush të jetë me probleme ai të marrë solidaritetin tonë”, tha ajo. Von der Leyen, deklaroi se, “pikë e dytë është integrimi rajonal, që në fakt është zhvillimi i tregut të përbashkët”. “Unë e mirëpres nënshkrimin e tri marrëveshjeve të përbashkëta sot. Liria e lëvizjes është kyç për të dyja palët. Ka të bëjë me njerëzit qofshin këta studentë, apo profesionistë. Marrëveshja është e rëndësishme për 18 milionë njerëz, që ata të lëvizin lirisht në rajon. Profesionistët mund të shfrytëzojnë potencialin e tyre të plotë pavarësisht se ku punojnë dhe kualifikimet profesionale qofshin këto të studentëve, të doktorëve, arkitektëve, dentistëve, të gjitha do të njihen në Ballkanin Perëndimor. Me shumë rëndësi është edhe njohja e kartës së identitetit në çdo kufi, dhe kështu këto masa do të forcohen lidhjet e rajonit”, përfundoi Ursula von der Leyen.http://ata.gov.al/2022/11/03/kriza-energjetike-von-der-leyen-1-miliard-euro-per-6-vendet-e-rajonit/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments