Sistemi kompjuterik i prodhuesit gjerman të makinave Volkswagen u godit nga një defekt i madh, kurse kompanisë iu desh të ndërpriste prodhimin në shumë fabrika. Prodhimi është ndalur për shkak të një ndërprerje në “rrjetin e sistemit kompjuterik” në selinë e Volkswagen në Wolfsburg. Prodhimi është pezulluar në katër fabrika automjetesh në Gjermani. Nga defekti i sistemit kompjuterik janë prekur edhe fabrikat e pjesëve në Wolfsburg, Emden, Zwickau dhe Osnabruck Kassel, Braunschweig dhe Salzgitter. Zëdhënësi i kompanisë tha se markat Porsche dhe Audi të Grupit Volkswagen u prekën gjithashtu nga defekti i sistemit dhe se është ngritur një ekip krizash për të hetuar burimin e defektit. Zëdhënësi hodhi poshtë mundësinë e një sulmi kibernetik. Në raportin e gazetës ekonomike gjermane “Handelsblatt”, thuhej se defekti është zbuluar edhe në vende të tjera ku ka fabrika të prodhuesit më të madh evropian të makinave, Volkswagen. Toyota, shitësi më i madh i makinave në botë, u detyrua gjithashtu të ndërpriste të gjitha operacionet në 28 linja montimi në katër fabrikat e saj në gusht për shkak të një defekti të sistemit të prodhimit.