Shqipëria renditet në një nga vendet kryesore në Europë sa i takon rritjes dhe prodhimit të ullirit, me rreth 12 milionë rrënjë ullinj, nga të cilat rreth 11 milionë janë në prodhim.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, për vitin 2023 u prodhuan 117.6 mijë tonë ullinj, ndërsa në 2024 ky tregues është me rritje të ndjeshme, falë subvencioneve dhe skemave për mbrojtjen e ullirit që kanë shtuar prodhimin e kësaj bime.
Prodhimi i vajit të ullirit është traditë mjaft e vjetër në Shqipëri, por vitet e fundit ai ka fituar një vëmendje të shtuar.
Prodhimi vendas i ullinjve mbulon nevojat e konsumit në tregun vendas dhe pjesa më e madhe e këtij prodhimi kalon në përpunim, për vaj ulliri.
Investimet në industrinë përpunuese të vajit të ullirit, kanë përmirësuar cilësinë e standardet e këtij produkti, i cili tashmë është mjaft i kërkuar edhe për eksport, edhe në tregjet europiane.