Në një prononcim për mediet Vengu tha se, 250 forca civile dhe ushtarake janë në terren në të gjitha zonat e prekura.
“Sapo kemi realizuar një mbledhje të dytë të Komitetit të Emergjencave Civile Vlorë me Prefektin dhe Kryetarin e Bashkisë dhe të gjithë strukturat civile, ushtarake apo të emergjencave civile që janë angazhuar në terren që prej pasdites së djeshme”, tha Vengu.
“Kemi 250 forca civile dhe ushtarake në terren në të gjitha zonat e prekura. Sigurisht është ai trekëndëshi i rrugës, si ajo e “Albano dhe Romina”, Kishës Ortodokse dhe Lagjes Historike, edhe mbeten një pjesë e pallateve dhe garazheve të prekura dhe nën ujë. 62 janë evidentuar si të tilla. Forcat janë të angazhuara në mënyrë që të çlirohen ujërat dhe të mundet të vihen në funksionalitet të plotë, qoftë stacionet e pompimit që kanë pasur vështirësi mbrëmjen e kaluar nga gjithë ai vërshim i madh i ujërave të të gjithë zonës, sikundër edhe hidrovori të vijojë punën në kushte optimale”, theksoi Vengu.
“Jemi në një situatë që po bëjmë të mundur evidentimin e dëmeve në mënyrë që t’i qëndrojmë pranë bizneseve dhe qytetarëve”, shtoi ai.
Vëngu nënvizoi se lagja historike është prekur dhe ka disa problematika, por shtoi ai janë ngritur 5 grupe pune të bashkisë.
Ministri u shpreh se do bëhet e mundur që të evidentohen dëmet dhe të japin dhe resurset e nevojshme financiare.
“Tani është momenti të qëndrojmë pranë qytetarëve, të evidentojmë dëmet dhe të shfrytëzojmë të gjithë ato instrumente financiare dhe rregullatorë që i japin mundësinë qoftë bashkisë, qoftë Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile që të dëmshpërblejë banorët për të gjitha këto dëme që janë konstatuar dhe të bëjmë të mundur që në një periudhë shumë të shkurtër të japim dhe resurset e nevojshme financiare”, tha Vengu.