Kanioni i Holtës, i vendosur në zemër të Gramshit, është një nga atraksionet më të spikatura të turizmit natyror në vendin tonë. Ky kanion, falë bukurisë së rrallë dhe veçorive të tij gjeologjike e natyrore, tërheq mijëra vizitorë vendas e të huaj çdo vit. Ai përfaqëson një kombinim të rrallë të peizazhit të egër, biodiversitetit të pasur dhe bukurive të paprekura.

Ky destinacion mbresëlënës ndodhet rreth 80 kilometra larg Tiranës. Për të mbërritur te hyrja e kanionit, ka disa alternativa. Këtu mund të udhëtosh me automjet privat, pasi investimi në infrastrukturën rrugore ka krijuar lehtësi për të mbërritur deri në hyrje të kanionit. Aksi rrugor që lidh Cërrikun me hyrjen e kanionit është një magji më vete për shkak edhe panoramës që ofron liqeni i Banjës gjithë udhëtimit.

Një mundësi tjetër janë linjat interurbane ku fillimisht duhet të udhëtosh drejt Gramshit dhe më pas, me taksi të zonës ose mjete të dedikuara, mund të mbërrish në hyrje të kanionit, ku ndodhen edhe disa bare e restorante. Alternativa e tretë është ajo përmes agjencive turistike.