Banka Europiane për Zhvillim (BERZH) do të financojë me një hua prej 98 750 000 eurosh për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.
Zëvendësministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë Enkelejda Muça, e pranishme në komisionin për Çështjet Europiane, gjatë diskutimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit”, tha se, “projekti kontribuon në një sistem transporti më të qëndrueshëm për mjedisin, në përputhje me agjendën e gjelbër të BE-së”.
Sipas saj, “ky është një investim që kontribuon në zhvillimin e transportit të gjelbër dhe të qëndrueshëm dhe nxitjen e kalimit nga transporti rrugor në atë hekurudhor në vendin tonë dhe në rritjen e lidhjes rajonale dhe në efikasitetin e transportit hekurudhor të mallrave dhe pasagjerëve”.
Muça zbardhi detaje nga ky projekt, ku evidentoi se linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit (kufi me Malin e Zi), është 120 km e gjatë dhe shpejtësia e lëvizjes së trenave do të jetë deri në 120 km/orë. Ajo do të jetë një linjë hekurudhore e elektrifikuar, e kategorisë UIC D4.
Gjithashtu vijoi ajo, projekti parashikon ndërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, ndërtimin e një tuneli me gjatësi 320 metër, ndërtimin e 12 urave etj. “Me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet një fluks udhëtarësh prej 2 300 000 udhëtarësh/vit dhe volum mallrash prej 900 000 tonësh/vit. Koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit pritet të jetë 2 orë”, u shpreh Muça.