Violinisti virtuoz Tedi Papavrami. Nxënësi i talentuar i shkollës artistike “Jordan Misja” do të interpretonte që në moshë të hershme me Orkestrën Filarmonike të Tiranës.
Tedi Papavrami u konsiderua një “enfant prodige” që në vegjëli sa i përket aftësive interpretative. I kthyer në një imazh të suksesit kulturor të qeverisë së kohës, Tedit do t’i akordohej një bursë studimi pranë konservatorit të Parisit.
Në shtator 1982, qeveria franceze i ofroi një bursë dhe Tedi studioi pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal.
Ndryshimet politike dhe vdekja e diktatorit Hoxha, do ta përafronin Papavramin më shumë me Francën, prej së cilës u ndikua thellësisht në pikëpamjen kulturore. Në vitin 1985 fitoi konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit”, në vitin 1987 mori diplomën e Konservatorit të Lozanës. Ka fituar vazhdimisht çmime si dhe ka interpretuar me orkestra prestigjioze nga vende të ndryshme të botës.
Në vitet në vazhdim, krahas tingullit identifikues të tij në veprat e Paganinit, të Brahmsit dhe të Prokofievit, Papavrami u shfaq për publikun edhe si përkthyesi i Kadaresë, në gjuhën frënge.