Tradita shekullore e punimit të enëve të baltës me zhvillimin e turizmit malor në zonën e Pukës po merr rëndësi të veçantë. Kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj vizitoi sot punishten e prodhimit të vorbave të Gojanit, ku u takua me Shkëlzen Bibën, një i ri i cili së bashku me babain e tij po e mbajnë gjallë këtë traditë. Shkëlzeni me profesion mësues thotë se falë kësaj pune arriti të arsimohet dhe ka ndërtuar jetën në vendlindje pa menduar të largohet, siç bëjnë shumë të rinj këto kohë. Me prodhimet e tij Shkëlzeni është bërë pjesë e pasqyrimit të traditës së Pukës në panaire të ndryshe, ndërsa ka siguruar treg të kënaqshëm shitje. Gjatë bashkëbisedimit Gjonaj inkurajoi të riun për mbajtjen gjallë të kësaj tradite, ndërsa u diskutua mbi mundësinë e futjes si lëndë mësimore kjo teknikë prodhimi e enëve prej balte dhe mbështetjen me mjete për zgjerimin e këtij aktiviteti. Enët prej balte janë një traditë mijëravjeçare e njohur në të gjithë Ballkanin. Procesi i përgatitjes së enëve prej balte kalon në disa faza që nga gjetja e lëndës së parë që është dheu, më pas përzierja me shtufin deri në përgatitjen e baltës, përgatitja në punishte dhe në fund pjekja e tyre, ndërkohë, në ditët e sotme mjeshtërit që e kanë ruajtur traditën vazhdojnë punën e tyre pa ndërprerje. Shijet e veçanta të gatimeve në enët prej balte po i bëjnë ato gjithnjë e më të kërkuara.https://ata.gov.al/2022/08/30/puke-vijon-tradita-e-punimit-te-eneve-te-baltes/
Vijon tradita e punimit të enëve të baltës
RELATED ARTICLES