Policia Bashkiake Durrës, në një njoftim bën me dije se të gjithë automjetet e braktisura në hapësirat publike nuk kanë vend më në qytet.

Policia Bashkiake Durrës po e vijon aksionin në terren duke bërë të mundur heqjen e çdo automjeti të braktisur, që cenon hapësirën publike dhe krijon pengesë për qarkullimin në rrugët e qytetit.

Aksioni gjithashtu do të vijojë në ditët në vazhdim edhe për automjetet të cilat kanë të afishuara tabelën “Shitet”.

Lirimi i hapësirave publike nga makinat e braktisura është pjesë e nismës së qeverisë për kthimin e hapësirave publike në shërbim të publikut.

Kjo nismë kombëtare, e cila nuk prek vetëm automjetet e braktisura, por të gjitha strukturat që kanë cenuar hapësirat publike ka nisur në muajin korrik dhe synon të përmirësojë cilësinë e jetës urbane, të rrisë funksionalitetin e bizneseve dhe të garantojë respektimin e standardeve të mikpritjes dhe shërbimit, jo vetëm në zonat turistike, por në çdo qytet e fshat të vendit.