Vetëm 13.3% e atyre që humbën patentën arritën ta rimarrin pas testimit

0
6

Vetëm 113 persona nga 848 riregjistrime në autoshkollë për shkak të heqjeve të pikëve të patentës, e kanë rifituar Lejen e Drejtimit gjatë periudhës Qershor 2022-Janar 2024. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bëri me dije se zbatimi i akteve ligjore të 2022-it që ashpërsonin masat ndaj personave që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor ka bërë që rieduktimi të mos rezultojë me marrjen e lejes së drejtimit nga të gjithë ata që humbën atë. “Të gjithë ata që konsiderohen kontigjent shkelësish të rëndë të rregullave të qarkullimit, përsëritës në sjellje që rrezikojnë ata vetë dhe të tjerët në rrugë, pas heqjes së pikëve të patentës, me aktet e reja në fuqi prej mbi një viti tashmë, për të rifituar të drejtën e drejtimit të mjetit, duhet të regjistrohen nga e para në autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë Në seancën e fundit të zhvilluar, nga 25 riregjistrime, u paraqitën 14 kandidatë ku vetëm 2 prej tyre rezultuan fitues! 848 riregjistrime në autoshkolla dhe vetëm 13.3% prej tyre kthehen në rrugë si drejtues mjeti, kësaj here akoma më të përgjegjshëm” thuhet në njoftimin e DPSHTRR. Sipas kuadrit ligjor të gjithë shtetasit, të cilët janë pajisur me leje drejtimi para datës 16.04.2015, që janë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Drejtuesve të Mjeteve, kanë përfituar në sistem 20 pikë. Drejtuesve të mjeteve që janë bërë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Drejtuesve të Mjeteve pas datës 16.04.2015, numri prej 20 pikësh iu jepet në datën që bëhen pjesë e këtij regjistri. Heqja e pikëve bëhet automatikisht në sistem në bazë të njoftimeve për shkelje të të normave të sjelljes siç është parashikuar në kapitullin V, të Kodit Rrugor. Të gjithë ata që humbasin pikët e patentës janë të detyruar sipas kuadrit ligjor në fuqi që të kthehen në autoshkollë dhe të ndjekin kursin normal teorik dhe praktik të riedukimit ndërkohë që pas përfundimit do të duhet që t’i nënshtrohet testit njëlloj si çdo i regjistruar për herë të parë. Testi i teorisë, bazuar në norma sjelljeje, është me 30 pyetje dhe me më shumë 3 gabime nuk kalon. Masat për riedukimin e shoferëve problematikë synojnë disiplinimin e tyre në rrugë.