Veshja e dasmës zadrimore që ndër të tjera shoqërohet dhe me këngë, valle, gosti me elemente kulinarie nga fusha e Zadrimës është produkt i një sërë dijebërjesh, që nga rritja e krimbit të mëndafshit deri tek punimi i pëlhurërave të fisme në vegë, qëndisja me motive gjeometrike, me bazë kromatike të pasur.

Gjatë aktivitetit u improvizua “marrja e nuses” sipas traditës së hershme, e shoqëruar me muzikë dhe valle tradicionale, duke sjellë një atmosferë feste.

Krahina e Zadrimës, mes Shkodrës dhe Lezhës, është shembull i gjallë i ruajtjes me fanatizëm ndër breza të trashëgimisë kulturore, sidomos përmes veshjes së saj tipike zadrimore, një pasuri etnografike e çmuar që vazhdon të përcillet me krenari nga brezi në brez.