Ky manastir gjendet në Saraqinisht (Gjirokastër) dhe restaurimi i tij u mundësua falë financimit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Ndërhyrjet konservuese-restauruese konsistojnë në ringjitjen e shtresave përgatitore, konsolidimin e pelikulit piktorik, pastrimin e sipërfaqes së pikturuar nga depozitimet, stukimin e çarjeve dhe integrimin piktorik në pikturën murale, si dhe ndërhyrje me karakter konservues në pjesët e mbetura të ikonostasit.
Kisha e Manastirit të Spilesë është ndërtuar në vitin 1634, vit në të cilin është dekoruar me pikturë murale mjeshtërisht nga ikonografi i njohur mesjetar, Mihal Linotopi.
Sipas banorëve të fshatit, “Manastiri i Spilesë” është ndërtuar nga Arhondët (familjet e pasura) e Saraqinishtës dhe është një kompleks banesash në formë sarajesh me rreth 40 dhoma. Në këtë manastir, në çdo 8 shtator mblidhen fshatarë nga gjithë krahina, po dhe nga Senica e Shën Vasili i Sarandës, nga Malëshova e Zagoria etj.





