Saturday, November 23, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREVepra e humbur e Caravaggio shfaqet në ekspozitë në Madrid

Vepra e humbur e Caravaggio shfaqet në ekspozitë në Madrid

Një nga zbulimet më të mëdha në historinë e artit, një pikturë e sapo verifikuar nga artisti i shekullit XVII Caravaggio (Michelangelo Merisi da Caravaggio) po shfaqet në muzeun “Prado” në Madrid, sipas BBC.

“Ecce Homo”, e cila tregon guvernatorin romak Ponc Pilatin që prezanton Krishtin para njerëzve, është një nga vetëm 60 veprat e njohura të mjeshtrit italian – që i shpëtoi vëmendjes së botës së gjerë të artit, pasi fillimisht iu atribua një artisti më pak të njohur.

Vepra u tërhoq nga shitja me urdhër të qeverisë spanjolle në vitin 2021, disa orë përpara se të shitej në ankand për një çmim fillestar prej 1,500 euro.

Tani, tre vjet pas asaj ndërhyrjeje vendimtare, vepra po ekspozohet për herë të parë që nga konfirmimi i statusit të saj të vërtetë.

Në fillim të këtij muaji, “Prado” tha se piktura ishte “pa dyshim, një kryevepër e Caravaggio”, duke e quajtur atë “një nga zbulimet më të mëdha në historinë e artit”.

Caravaggio, i cili vdiq në vitin 1610 në moshën 38-vjeçare, ishte i njohur për përdorimin dramatik të dritës dhe hijes për të sjellë një realizëm të thellë psikologjik në skenat e dhunshme që ai përshkruante, përgjithësisht.

Historianët e artit e kanë përshkruar punën e tij si fillimin e “Pikturës Moderne”.

“Ecce Homo” besohet se i përkiste koleksionit privat të mbretit spanjoll Philip IV, përpara se të ekspozohej në apartamentet e djalit të tij, Charles II.

Ajo u rishfaq në Madrid në prill 2021, ku u përshkrua si produkt i një artisti që i përkiste  piktorit spanjoll të shekullit XVII, José de Ribera.

Por, pasi ekspertët në “Prado” shprehën dyshimet e tyre për autorësinë e vërtetë të pikturës, Ministria spanjolle e Kulturës ndërhyri për të bllokuar shitjen e saj.

Ajo do të ekspozohet deri në tetor në një ekspozitë të veçantë pas një marrëveshjeje me pronarin e saj të ri, që besohet të jetë një shtetas britanik që jeton në Spanjë.

Sipas raportimeve të medieve spanjolle, piktura kaloi nga një pronar te tjetri duke arritur vlerën e 36 milionë eurove.

Jorge Coll, drejtuesi i galerisë së artit në Londër, “Colnaghi” tha për gazetën “El País” se piktura do të mbetej në koleksionet publike, në vend që të përfundonte në shtëpinë e pronarit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments