Vendimi përcakton procedurat që ndiqen për realizimin e procesit të shfuqizimit të masave administrative të paekzekutuara, nga inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake.

Procedurat e këtij vendimi zbatohen për realizimin dhe përfundimin e procesit të shfuqizimit dhe heqjes/fshirjes së masave administrative të paekzekutuara deri në datën 15 janar 2025, të cilat janë vendosur nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024, nga inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake.

Procesi i heqjes/fshirjes së masave administrative të paekzekutuara specifikon kur individët apo personat fizik përfitojnë fshirjen e masave administrative për ndërtimet pa leje.

Shfuqizimi i masave prek ndërtimet pa leje apo pa njoftim paraprak të kryera për qëllime banimi ose për veprimtari të lidhura me prodhimin, përpunimin, magazinimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore e blegtorale në zonat rurale, përfshirë edhe objektet për mjete pune dhe inpute bujqësore. Vendimi përfshin gjithashtu edhe rastet e ndërtimeve që nuk respektuan rregullat gjatë pandemisë COVID-19.

Procedurat e heqjes/fshirjes së masave administrative të paekzekutuara ndiqen dhe zbatohen nga organet që kanë vendosur këto masa.

Individët apo subjektet që konstatojnë se masa administrative ndaj tyre nuk është fshirë nga sistemi, kanë të drejtë të paraqesin një kërkesë pranë strukturës përkatëse vendore. Verifikimi i kërkesës kryhet nga struktura përkatëse, e cila ka 5 ditë kohë për të njoftuar refuzimin, në rast se nuk plotësohen kriteret. Subjekti ka të drejtën të ankimojë vendimin në gjykatë.

Sipas vendimit, procesi i heqjes/fshirjes së masave përfundon brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit.

Për masat administrative të paekzekutuara që nuk kanë të qartësuar tipologjinë e ndërtimit pa leje, afati zgjatet në 80 ditë, dhe kërkohet një akt ekspertimi i nënshkruar nga tre ekspertë të licencuar.

Në mungesë të aktit të ekspertimit, vlerësimi i tipologjisë dhe vendimmarrja për shfuqizimin bëhet nga një komision i posaçëm, ngritur me urdhër të Kryeinspektorit të IKMT.

Ky vendim pritet të lehtësojë kryesisht barrën administrative për fermerët dhe sipërmarrësit në zonat rurale, duke u ofruar atyre një mundësi për formalizmi dhe integrim më të mirë në ekonominë bujqësore dhe zinxhirin e vlerës.