Një zbulim i rrallë ka dalë në dritë në Buqezë të Pogradecit (pranë Linit). Prej 8500 vjetësh aty ekziston vendbanimi palafit më i vjetër në Evropë. “Ky zbulim i ri përveç se ka vlerë të padiskutueshme historike dhe arkeologjike, do të jetë një pikë e re referimi për turizmin tonë”, shprehet prefekti i Korçës, Nertil Jole. Arkeologët e Universitetit të Bernës në bashkëpunim me arkeologët shqiptarë kanë konfirmuar zbulimin e vendbanimit palafit (ndërtim mbi pilota druri ngulur në liqen), që i ka entuziazmuar mjaft. Gjetjet pas gërmimeve kanë faktuar se ky vendbanim i lashtë, ishte qendra ku 8500 vjet më parë ka qenë zhvilluar bujqësia, zejtaria dhe peshkimi. Albert Hafner, drejtor i Institutit të Arkeologjisë në Universitetin e Bernës dhe Adrian Anastasi thanë se kemi të bëjmë me një vendbanim shumë më të lashtë se ato të gjetura në pjesën jugore të Italisë e në gjithë Europën. Madje arkeologët zviceranë pohuan se vendbanimi palafit i Linit është 2 mijë vjet më i vjetër se ato të gjetura në Zvicër. atsh