Varret Monumentale të Selcës, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore

0
1

Përveç turizmit bregdetar, Shqipëria ka seç të ofrojë edhe në brendësi të saj. Vizitorë të shumtë ka edhe zona lindore e vendit, ku veçojmë qarkun e Korçës i cili preferohet për klimën, kulinarinë por edhe pasuritë e shumta kulturore. Një prej siteve të trashëgimisë, që nuk duhet lënë pa parë, janë Varret Monumentale të Selcës. Ato ndodhen në faqen lindore të kodrës së quajtur Gradishtë në të cilën gjenden gjurmët e qytetit Ilir të Selcës së Poshtme. Varret ndodhen midis akropolit dhe lagjeve të jashtme të qytetit të dikurshëm. Ato janë të gdhendura në shkëmbin e fasadës së kodrës dhe datohen në shek IV-III p.k. Nga gërmimet e kryera janë zbuluar 5 varre monumentale të grupuara në tre zona që ndodhen rreth 100 m larg njëra-tjetrës. Në zonën e parë ndodhen varret nr. 1,2 dhe 3 të gdhendura në shkëmb, në zonën e dytë ndodhet varri nr.4 po ashtu i gdhendur në shkëmb ndërsa në zonën e tretë ndodhet varri nr.5 i ndërtuar me qemer guri. Varret Monumentale të Selcës janë një pjesë e rëndësishme e qytetit ilir të Selcës së Poshtme, ato janë aspekti më i njohur arkitekturor i këtij qyteti. Periudha e ndërtimit të tyre përkon me periudhën kulmore të zhvillimit të qytetit.