Klasa në mësim online në Filipine, parqe të mbushura me njerëz në Birmani, alarm i lartë i nxehtësisë në Bangladesh. Azia Juglindore vazhdon nën zheg edhe sot nën temperatura anormalisht të larta, me kulme prej më shumë se 45°C. Manila dekretoi sot pezullimin e mësimit në klasa në të gjitha shkollat publike për dy ditë, veçanërisht për shkak të vapës. “Në funksion të parashikimeve të fundit të indeksit të nxehtësisë (…) dhe shpalljes së një greve kombëtare të transportit, të gjitha shkollat publike në vend do të duhet të krijojnë klasa online në datat 29 dhe 30 prill 2024”, tha Ministria e Arsimit. Në Bangladesh, shkollat u rihapën të dielën pas disa ditësh mbyllje, edhe për shkak të vapës së padurueshme. Miliona nxënës janë rikthyer në mësim, pavarësisht alarmit të nxehtësisë së lartë ende aktive, çerdhet mbeten të mbyllura ndërsa oraret e shkollave fillore po shkurtohen. “Unë erdha në shkollë me vajzën time 13-vjeçare, ajo ishte e lumtur që shkolla e saj ishte e hapur, por ishte e tensionuar”, tha Lucky Begum, fëmija e së cilës shkon në një shkollë publike. “Nxehtësia është shumë e madhe. Vajza tashmë ka skuqje nga djersitja. Shpresoj që ajo të mos sëmuret”, shtoi ajo Në Burma, ku mërkuri arriti në 45,9°C të mërkurën në qytetin Chauk, shumë kërkojnë freskinë nën hijen e pemëve në parqe sapo perëndon dielli. Në këtë vend të rrënuar nga konflikti civil dhe një rrjet i vjetruar elektrik, ndërprerjet e energjisë elektrike janë të shpeshta, mes sulmeve ndaj infrastrukturës dhe rezervave të thara të gazit. Ata që nuk mund të përballojnë një gjenerator benzine, mund të kalojnë më shumë se tetë orë në ditë pa energji dhe rrjedhimisht pa ajër të kondicionuar. “Është shumë nxehtë”, tha San Yin, një arkëtara 39-vjeçara. Ajo shpjegon se shkon në një park në Yangon në mbrëmje, me të shoqin dhe djalin e saj katërvjeçar, derisa energjia elektrike të kthehet në banesën e saj. “Unë lutem që shiu të bjerë sa më shpejt”, shton ajo
Vapa ekstreme vazhdon të godasë Azinë Juglindore
RELATED ARTICLES