E lindur pothuajse rastësisht në laboratorët e Universitetit të Miçiganit, teknika e histotripsisë, e cila përdor valë zanore me frekuencë të lartë për të shkatërruar tumoret, po ndryshon mënyrën se si mjekësia i qaset kancerit, shkruan ilmessaggero.it.

Kjo  metodë u zbulua nga Zhen Xu, atëherë një studente doktorature në inxhinieri biomjekësore, në fillim të viteve 2000.

Ndërsa eksperimentonte me një metodë për të eliminuar indet e sëmura pa ndërhyrje kirurgjikale, Xu rriti frekuencën e ultrazërit për të zvogëluar zhurmën që shqetësonte kolegët e saj të laboratorit.

Megjithatë, ky rregullim i thjeshtë e bëri trajtimin tepër më efektiv, pasi brenda një minute, një vrimë ishte formuar në indin e zemrës së një derri.

“Mendova se po ëndërroja”, tha Xu, tani profesoreshë në Universitetin e Miçiganit.

Nga ai zbulim i papritur, lindi histotripsia – një teknologji që, ndryshe nga ultrazëri tradicional, fragmenton tumoret duke përdorur mikroflluska që zgjerohen dhe shemben në mikrosekonda, duke e lënë sistemin imunitar të eliminojë mbeturinat.

Në vitin 2023, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi teknikën për trajtimin e tumoreve të mëlçisë, dhe një studim i vitit 2024 i kryer nga HistoSonics, një kompani e themeluar për të komercializuar zbulimin e Xu-së, raportoi një shkallë suksesi teknik prej 95%.

Efektet anësore të vëzhguara, duke filluar nga dhimbja e barkut deri te gjakderdhja e brendshme, janë të rralla dhe trajtimi konsiderohet përgjithësisht i sigurt.

Në qershor 2025, Mbretëria e Bashkuar u bë vendi i parë evropian që miratoi përdorimin e tij klinik.

NHS ka përfshirë histotripsinë në programin e saj të Rrugës së Qasjes në Pajisjet Inovative, i projektuar për të identifikuar teknologjitë e reja për nevojat klinike të pazbuluara.

“Shumë njerëz e mendojnë ultratingullin vetëm si një mjet imazherie, por provat sugjerojnë se ai gjithashtu mund të shkatërrojë tumoret, të zvogëlojë metastazat dhe të përmirësojë trajtimet e tjera të kancerit, pa iu drejtuar kirurgjisë”, thekson Julie Earl, një studiuese në institutin ”Ramón y Cajal” në Spanjë.