Ngjyrat kanë “veshur” Valbonën, duke krijuar një peizazh të jashtëzakonshëm në një prej mrekullive të natyrës alpine shqiptare.
Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen me bukuritë e alpeve në vendin tonë.
Valbona shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare, në rrethin Tropojës. Parku Nacional i kësaj zone ka një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh.
Natyra e këtij parku është e pasur me varietete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm. Ka një klimë malore me dimër të ashpër e reshje të pasura shiu e bore dhe me temperatura të ulëta, si dhe periudha të gjata me ngrica dhe erëra.
Vizitorë të shumtë nga vendi dhe bota, e kanë pjesë të listës së tyre të atraksioneve turistike, duke e kthyer Valbonën në një pikë me turizëm gjithëvjetor.





