MSHMS bën të ditur se të gjithë qytetarët që duan të kryejnë vaksinën mund ta rezervojnë ditën e tyre në e-Albania.

MSHMS i bën apel qytetarëve të vaksinohen në qendrat e vaksinimit më të afërta, pasi vaksina shpëton jetë dhe në këtë mënyrë mbroni veten dhe të tjerët rreth jush.

Fushata e vaksinimit antigrip ka nisur në datën 22 shtator, ndërsa janë 280 mijë doza vaksinash në dispozicion të qytetarëve të shpërndara në qendrat shëndetësore në vend.

Vaksinimi i personelit shëndetësor po vazhdon në të gjithë vendin, ndërsa janë njoftuar qytetarët e moshës së tretë, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të gjithë personat që kanë sëmundje bashkëshoqëruese.

Në udhëzimet e MSHMS-së thuhet se vaksina antigrip mund të bëhet nga personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, ata me probleme të sistemit kardiovaskular, të sistemit pulmonar dhe të sistemit renal. E këshillueshme është që vaksina të bëhet edhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi gjashtë muajsh.