Me nisjen zyrtarisht të fushatës së vaksinimit, në ditën e sotme, personeli i mjekëve, infermierëve në qendra shëndetësore në vend, kanë qenë të parët që e kanë kryer këtë vaksinë.
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) njofton, se vaksinimi dhe shëndeti i personelit shëndetësor është garanci për shëndetin e të gjithëve.
Fushata e vaksinimit antigrip 2025-2026 ka nisur në të gjithë vendin, ndërsa vaksina antigrip mbetet mbrojtja më e mirë dhe më efikase kundër virozave respiratore të shkaktuara nga viruset e gripit që qarkullojnë në stinën e vjeshtës.
MSHMS ka siguruar 280 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal, të cilat janë shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit.
Këtë vit, për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ofron për të gjithë qytetarët mundësinë e zgjedhjes së vendit dhe kohës së vaksinimit, përmes platformës “e-Albania”.
Sipas udhëzimeve të MSHMS, vaksina antigrip mund të bëhet nga personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, ata me probleme të sistemit kardiovaskular, të sistemit pulmonar dhe të sistemit renal. E këshillueshme është që vaksina të bëhet edhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi gjashtë muajsh.