Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTSPORTVajzat U-16 në turneun “UEFA Development”

Vajzat U-16 në turneun “UEFA Development”

Kombëtarja shqiptare U-16 për vajza e startoi në mënyrën më të mirë turneun “UEFA Development”, duke regjistruar një fitore bindëse 5-0 ndaj Moldavisë dhe duke bërë një paraqitje të shkëlqyer. Skuadra e drejtuar nga trajneri, Agustin Kola, u shfaq në formë shumë të mirë, me brezin e vajzave të kësaj grupmoshe që premton një të ardhme të ndritur. Ndër protagonistet kryesore të kësaj premiere ishin Tjana Gjonaj, Klesta Ago dhe Xhesika Ndoj, që ishin mes autoreve të golave. Në prononcimet e tyre për Fshf.org pas ndeshjes ndaj Moldavisë të treja vajzat kuqezi janë shprehur mjaft të lumtura për këtë sukses dhe për paraqitjen e tyre individuale në këtë sfidë, teksa shpresojnë që skuadra të vazhdojë me paraqitje po kaq pozitive edhe në të ardhmen. “Jam shumë e lumtur që kemi fituar këtë ndeshje të parë ndaj Moldavisë dhe që arrita të shënoj gol. Shpresoj që të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të fitojmë sërish. Uroj që edhe kundër Kosovës dhe Andorrës do të dhurojmë të njëjtën paraqitje dhe të marrim të tjera fitore”, tha Tjana Gjonaj. Ndërsa Klesta Ago theksoi se, “jam shumë e kënaqur me paraqitjen e skuadrës, pasi luajtëm mjaft mirë në grup dhe këtë tregon fare qartë rezultati. Gjithashtu, në aspektin individual jam shumë e lumtur që arrita të shënoj dy gola. Uroj të shënoj gola të tjera edhe në ndeshjet e ardhshme me Kosovën e Andorrën dhe gjithashtu pretendojmë të japim më të mirën në fushë në këto dy sfida, ashtu siç bëmë ndaj Moldavisë”. Xhesika Ndoj u shpreh se, “edhe unë ashtu si shoqet e mia jam shumë e kënaqur me paraqitjen në ndeshjen ndaj Moldavisë. Bëmë një ndeshje shumë të mirë të gjitha, ndërsa unë u mundova të jap maksimumin. Shumë e lumtur për golin, pasi kisha shumë dëshira të shënoja sot. Është një arritje shumë e madhe për ne, në ndeshjen ndaj Kosovës dhe Andorrës shpresoj që të fitojmë dhe të marrim maksimumin e pikëve, sepse kemi një grup shumë të mirë lojtaresh. Objektivi im është të paraqitem po kaq mirë sa në ndeshjen ndaj Moldavisë edhe në sfidat e tjera”. Përveç Shqipërisë U-16 për vajza, në këtë turne marrin pjesë edhe Moldavia, Kosova e Andorra, me ndeshjet që do të luhen të gjitha në vendin tonë në datat 7-9 dhe 12 mars. Po dje është luajtur edhe takimi tjetër i turneut, mes Kosovës e Andorrës, që përfundoi me fitoren 3-1 në favor të përfaqësueses së Kosovës. Ndeshjet e dyta të turneut do të luhen të enjten, ku takimi i parë është planifikuar të zhvillohet në ora 11:00 mes Moldavisë dhe Andorrës, ndërsa ndeshja e dytë do të luhet në ora 14:30 mes Shqipërisë dhe Kosovës. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments