Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ka filluar një zgjidhje rajonale FinTech të quajtur LORES+, për financimin e bizneseve të vogla dhe të mesme Kjo platformë e re do t’u mundësojë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) të aplikojnë për kredi online dhe të kenë akses në informacione mbi mundësitë financiare të disponueshme për të rritur bizneset e tyre, duke u kursyer atyre kohë dhe përpjekje. LORES+ është mjeti dhe iniciativa më e fundit e mbështetur nga USAID për të nxitur NVM-të në Shqipëri dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Si një zgjidhje dixhitale, LORES+ bazohet në suksesin e LORES 1.0, i cili gjithashtu u zhvillua me mbështetjen e USAID-it përmes projektit të mëparshëm SmartCapital. LORES+ pritet të ketë një ndikim më të madh, veçanërisht për shkak të potencialit të tij për t’i shërbyer të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Duke fuqizuar NVM-të, LORES+ do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Platforma do të nxisë rritjen ekonomike dhe inovacionin, duke çuar në një ekonomi më konkurruese dhe të pasur. Duke folur në lancimin e LORES+, Demian Smith, zëvendësshefi i misionit në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, tha: “Bizneset e vogla luajnë një rol kritik në nxitjen e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Në Shqipëri, këto grupe përfaqësojnë mbi 95% të bizneseve dhe punësojnë mbi 80% të fuqisë punëtore. Megjithatë, ata marrin vetëm një të katërtën e financimit total nga institucionet financiare. Për të përmirësuar qasjen e bizneseve të vogla në financa, Qeveria e SHBA-së mbështeti zhvillimin e platformës LORES+ nëpërmjet aktivitetit tonë rajonalë USAID CATALYZE Engines of Growth”. LORES+ është një projekt rajonal që tani po fillon në Shqipëri dhe më vonë do të zgjerohet në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Synimi është të mundësojë aplikime për kredi që do të arrij në një shumë minimale rreth 12 milionë dollarësh, duke përfituar 285 NVM gjatë 2.5 viteve të ardhshme. atsh