Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe 15 komisionerë të tjerë të BE-së do të zhvillojnë një vizitë dyditore në Kiev, ku do të takohen me anëtarë të qeverisë ukrainase, tha komisioni në një njoftim për shtyp. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel pritet të mbërrijë nesër në Kiev, ku do të marrë pjese në një samit së bashku me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Vizita e përfaqësuesve të BE-së vjen pasi qeveria ukrainase publikoi një deklaratë duke thënë se pret nga BE-ja një udhërrëfyes se si të fillojë negociatat formale të anëtarësimit sa më shpejt dhe me sukses. Anëtarësimi në bllok është një proces shumë kompleks dhe i gjatë që përfshin reforma ligjore dhe përafrimin me rregulloren e BE-së, dhe marrjen statusit të kandidatit, që në bisedimet zyrtare, në të kaluarën, ka zgjatur më shumë se një dekadë. Gjate takimit ka të ngjarë të njihet progresi i Ukrainës në disa fusha, si reformat gjyqësore, dhe të diskutohen forma të tjera të mbështetjes afatshkurtër dhe afatgjatë. BE-ja pritet të njoftojë një trajnim shtesë prej 15 000 ushtarësh, si pjesë e një misioni stërvitor në vazhdim, ndërsa mbështetja financiare dhe humanitare dhe ndihma e vazhdueshme për të ruajtur eksportet e ushqimit pavarësisht luftës, ka të ngjarë gjithashtu, të jetë në axhendën e diskutimeve. ATSH