Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEUrgjenca e Sëmundjeve të Brendshme 

Urgjenca e Sëmundjeve të Brendshme 

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza “(QSUT), bën të ditur se shërbimi në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme i është ofruar dhe vijon t’i ofrohet në kohë çdo pacienti, falë punës dhe profesionalizmit të stafit mjekësor.

QSUT reagoi pas akuzave në rrjetet sociale për mosofrimin e ndihmës ndaj një qytetari dhe për mungesë shtretërish në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme.

“Pacienti në fjalë, siç shihet në foton bashkëlidhur, ka qenë i shtrirë në gjendje të alkoolizuar pranë lulishtes së QSUT. Të lajmëruar nga qytetarët, stafi mjekësor ka dalë menjëherë për ti dhënë ndihmën e parë. Më pas pacienti i intoksikuar nga alkooli është shtruar dhe akomoduar në ambientet e USB, por teksa ka filluar mjekimin, ka refuzuar personelin dhe është shtrirë në tokë duke mos pranuar të vazhdojë trajtimin. Me insistimin e personelit mjekësor pacienti është akomoduar në shtrat dhe më pas është larguar nga spitali”, informoi QSUT.

QSUT siguron qytetarët që shërbimi i urgjencës i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ofruar shërbim mjekësor për pacientët dhe është në gatishmëri për të ofruar shërbim kujtdo që ka nevoje për ndihmë mjekësore.

“Akuza të tilla që tentojnë të hedhin baltë mbi punën heroike të personelit, që me sukses i ka dhënë ndihmë në kohë rekord çdo situate të rëndë, nuk do të cenojnë punën tonë në shërbim të pacientëve”, thuhet më tej në deklaratën e QSUT-së.

QSUT hedh poshtë edhe akuzat për mitdhënie.

“Sa i përket akuzave të pavërteta për pretendim pagese nga pacientë, sqarojmë se pranë Drejtorisë së QSUT, nuk është depozituar asnjë ankesë apo denoncim për korrupsion apo mungesë shërbimi në USB. Ftojmë qytetarët për çdo denoncim pakënaqësi, ankesë apo sugjerim lidhur me shërbimin mjekësor në QSUT të drejtohen pranë institucionit, pasi jemi në dispozicion të tyre në çdo moment”, thuhet në deklaratë.

https://ata.gov.al/2022/07/13/qsut-urgjenca-e-semundjeve-te-brendshme-i-ka-kapacitetet-per-trajtimin-e-pacienteve/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments