Ura e Kamarës është një prej monumenteve historike dhe arkitektonike më të rëndësishme në zonën e Librazhdit dhe vlerësohet për karakteristikat e saj unike dhe pozicionin strategjik mbi lumin Shkumbin. Ura e Kamarës ndodhet rreth 5 km larg qytetit të Librazhdit, në Njësinë Administrative Polis në Mirakë dhe ka një histori dhe vlerë kulturore të konsiderueshme. Kjo urë mesjetare ka shërbyer si një element kyç në rrugën antike Egnatia, duke u pozicionuar në një pikë strategjike në degëzimin e kësaj rruge. Kjo e bën urën të ketë rëndësi të veçantë në kontekstin e lidhjeve të transportit dhe tregtisë në kohën e ndërtimit të saj.
Për vlerat që ajo mbart, kjo urë është shpallur monument kulture i kategorisë së I në vitin 1963. Kjo urë është asimetrike dhe është e ndërtuar mbi tre qemere të realizuar me gurë ngjyre gri të marrë nga mali i Murrashit. E ndërtuar rreth viteve 1714, Ura e Kamares ka pasur disa periudha ndërtimi, ku gjatë periudhës osmane ka pësuar edhe një rindërtim. Është e gjatë rreth 40 m dhe e gjerë rreth 3.5 m dhe midis tyre ndodhen dritare shkarkuese në formë lundre. Qemeri i madh i urës ka një hapësirë prej 23 metrash dhe qemeri i djathtë është në formë segmenti rrethor. Bazamenti për kalimtarët është ndërtuar me një kalldrëm me gurë lumi të rrumbullakët. Ajo ka marrë këtë emërtim për shkak të një kamareje që ndodhet në anën e djathtë të saj.
Kjo kamare shërbente si një njoftim për personat që do të kalonin mbi urë. Kur moti ishte i keq dhe frynte shumë erë, këmbanorja binte si një lloj lajmërimi që kalimi mbi të bëhej me kujdes e të mos binin nga ura. Në bregun e majtë ura mbështetet në formacionin shkëmbor të malit të Polisit, ndërsa mbështetja e djathtë është mbi zhavorrishten e shtratit të lumit. Në kohën e ndërtimit të saj, ajo lidhte rrugën mesjetare të karvanëve që vinte nga Elbasani e që prej urës së Haxhi Beqarit kalonte majtas lumit, duke ndjekur trasenë e rrugës antike Egnatia, për të vazhduar në Korçë e më tej në Maqedoni, Greqi deri në Stamboll. Gjithashtu, tek ura e Kamares shkëputej dega rrugore që lidhte Elbasanin me krahinën e Dibrës, nëpërmjet Klenjës e Zerqanit.
Sot, Ura e Kamares vazhdon të jetë një pikë e historisë dhe kulturës lokale, duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve dhe hulumtuesve që duan të njihen më mirë me trashëgiminë e pasur të kësaj zone. Këshilli Kombëtar i Restaurimeve me propozim të Institutit të Monumenteve të Kulturës e ka miratuar zonë të mbrojtura “Urën e Kamarës”. Zonat përreth objekteve të trashëgimisë mbrohen si pasuri publike dhe si pjesë përbërëse e panoramës dhe e peizazhit natyror, i cili ndihmon në ruajtjen dhe evidentimin e Trashëgimisë Kulturore.