Universiteti i Tiranës ka çelur sot fazën e dytë të regjistrimeve. Pas fazës së parë të regjistrimeve në UT, të rinjtë që nuk kanë vendosur ende se cilin program do të zgjedhin për të studiuar, kanë mundësi ta bëjnë këtë në fazën e dytë. Në një postim në rrjetet sociale UT thekson se “për këtë vit akademik janë shtuar degët prioritare dhe kryesisht janë ato të mësuesisë, në Shkencat e Natyrës dhe Historisë e Filologjisë”. “Siç tashmë është bërë publike, qeveria ka vendosur që studentët që do të përzgjedhin secilën nga këto degë prioritare do të përfitojnë bursë sa paga minimale (40.000 lekë të reja) dhe nuk do të ketë kriter mesatareje”, tha UT. Sipas UT, degët prioritare janë: Gjuhë dhe Letërsi; Histori dhe Arkeologji; Biologji; Kimi; Fizikë; Matematikë; Matematikë-Elektronikë dhe Automatizëm. Regjistrimi do të bëhet online për dy raundet e para dhe në përfundim të tyre, në programet e studimit ku kanë mbetur kuota të lira pranimi, kandidatët që kanë aplikuar në U-Albania mund të vijojnë të regjistrohen drejtpërdrejtë në universitete deri në plotësimin e të gjitha kuotave. Kandidatët fitues regjistrimin e bëjnë pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse, ku duhet të dorëzojnë dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja; fotokopja e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore ose dëftesa e pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose një dëftesë/diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njësuar në MASR, si dhe mandati i pagesës së tarifës së regjistrimit dhe deklaratën, e cila plotësohet nga aplikanti në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore të IAL-së dhe që nënshkruhet nga aplikanti dhe nga punonjësja e sekretarisë. Raundi i parë i regjistrimit u krye nga data 29 gusht deri në 11 shtator, ndërsa raundi i dytë do të vijojë deri në 21 shtator.
Universiteti i Tiranës çel fazën e dytë të regjistrimeve
RELATED ARTICLES