Mbi 60 studiues dhe kërkues të baladave nga universitetet dhe qendrat kërkimore më të rëndësishme europiane e botërore kanë marrë pjesë me kumtime në këtë ngjarje të madhe shkencore që përkon edhe me 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës ka qenë mikpritës i Konferencës së 50-të Botërore të Baladave organizuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Baladave (KfV) dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë me temë “Baladat dhe audienca në kohë dhe hapësirë”. Akademiku Shaban Sinani pohon se ky është organizimi më i rëndësishëm i këtyre përmasave prej vitit 1983. Përmes kumtesave disa nga studiuesit vendas shpërfaqën disa anë të panjohura ose të pastudiuara më parë të baladave shqiptare, si dhe u ofruan mundësitë e bashkëpunimit dhe nxitjes së studimeve krahasuese në të ardhmen me kolegët ndër kombëtarë. Paralel me konferencën u organizua edhe festivali “Divani Lunxhiot” që u dha mundësinë studiuesve të huaj të shohin nga afër performanca të këngëve e valleve të folklorit të Lunxhërisë, si pjesë e rëndësishme dhe përfaqësuese e folklorit shqiptar.https://lajme.rtsh.al/artikull/universiteti-eqrem-cabej-i-gjirokastres-mikprites-i-konferences-se-50-te-boterore-te-baladave