Sipas ndryshimeve të miratuara në fillim të vitit 2025 nga Banka e Shqipërisë në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, norma maksimale për overdraftet (paradhëniet) është ulur në 18,27%, nga 18,3% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë 2025.

Ndërsa norma maksimale për kreditë nga 200 mijë lekë, deri në 600 mijë lekë ka shënuar një rritje të lehtë në 35,43%, nga 35,21% që kishte qenë në gjashtëmujorin e kaluar, por ngelet në nivel më të ulët nga norma prej 36,55% e gjashtëmujorit të parë 2025.

Për overdraftet në intervalin 200-600 mijë lekë, norma maksimale është rritur në 18,5%, nga 18,41% që ishte në vitin 2025.

Ndërkohë, për kreditë me vlerë nga 600 001 deri në 2 000 000 lekë norma e interesit maksimal është ulur në 14,71%, nga 14,93% që ishte më parë.

Aplikimi i një norme tavan interesi për kreditë konsumatore në Shqipëri nisi në fillim të vitit 2022, kur norma e interesit ishte 171,41%, ndërsa sot ky tregues ka zbritur në 54,8%.

Masat e BSH për vendosjen e një tavani të normës së interesit për kredinë konsumatore kanë në fokus mbrojtjen e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka.