Pas një dite me reshje bore në zonat malore, java ka nisur e kthjellët dhe me temperatura tipike dimri. Meteorologia e A2 CNN Tanja Porja bëri të ditur në “Dita Jonë” se reshje të izoluara dëbore do të ketë edhe përgjatë ditës së sotme në juglindje të vendit.
“Kjo javë kryesisht e kthjellët dhe e ftohtë. Ka ende prezencë të reshjeve të dëborës në zonat malore. Flokë të izoluar dëbore në juglindje kryesisht në zonat kufitare”.
Sipas saj, temperaturat janë ulur në minus 4 gradë celsius në zonat malore dhe vetëm nga mesi i javës fillon rritja e vlerave termike.
“Termometri ka shënuar rënie të theksuar, ka zbritur në minus 3 dhe minus 4 gradë në zonat malore. Në brendësi të territorit në 1 gradë. Vetëm nga e mërkura e në vijim fillon rritja e vlerave termike”.
E njëjta situatë me temperatura tipike dimri sipas saj paraqitet edhe në Ballkan.
Meteorologia e A2 CNN parashikon që moti të mbetet i kthjellët deri të enjten, kur shtohen vranësirat, por do të ndihet edhe rritja e temperaturave. Maksimumi sipas saj, mund të ngjitet në 20 gradë.
Reshjet e dëborës përfshinë një ditë më parë të gjithë juglindjen e vendit, madje në zonat malore trashësia ka shkuar nga 5-10 cm. (A2 Televizion)