UKRAINË–Borxhi kombëtar në 80% të PBB-së

0
3

Rënia ekonomike e lidhur me luftën dhe huatë e reja bënë që borxhi kombëtar i Ukrainës të rritet në pothuajse 80% të prodhimit ekonomik, vitin e kaluar. “Konkretisht, borxhi shtetëror, si dhe borxhi i garantuar nga shteti, u rritën nga 48,9% përpara luftës në 2021, në 78,5%”, njoftoi në Twitter Ministria e Financave në Kiev. “Borxhi i drejtpërdrejtë shtetëror brenda dhe jashtë vendit u rrit nga 86.6 miliardë dollarë në 101.6 miliardë dollarë”, sipas ministrisë. Në të njëjtën kohë, ekonomia e Ukrainës pësoi një rënie masive pas pushtimit rus në shkallë të plotë, vitin e kaluar. Prodhimi ekonomik i vendit të pushtuar është vlerësuar nga ministria në ekuivalentin e rreth 161 miliardë dollarëve për të gjithë vitin 2022, që është afërsisht i krahasueshëm me qytetin gjerman të Hamburgut. Në Bashkimin Evropian, sipas të ashtuquajturave kritere të Mastrihtit, një nivel i borxhit publik jo më shumë se 60% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) konsiderohet i shëndoshë. Ukraina ka luftuar një pushtim rus për gati 14 muaj me ndihmën ushtarake perëndimore. Duke përfshirë gadishullin e Krimesë, i cili u aneksua nga Rusia në një pushtim fillestar në vitin 2014, pothuajse 20% e territorit ukrainas është aktualisht i pushtuar nga trupat ruse.