Ukraina ka vendosur që herët në mëngjes në gatishmëri të plotë sistemet e mbrojtjes ajrore, në mbarë vendin, përpara një takimi të planifikuar sot mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, në Kiev. Ishte e paqartë nëse alarmi ajror do të kishte ndonjë ndikim në takim. “Alarmi u shkaktua nga prania e avionëve luftarakë rusë në hapësirën ajrore të vendit fqinj të Ukrainës, Bjellorusisë”, sipas burimeve të Kievit. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell do të marrin pjesë në samit. “Nuk heqim dorë nga vendosmëria jonë”, shkroi presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, më herët në Twitter, duke iu referuar mbështetjes së BE-së për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus pothuajse një vit më parë. ATSH