Ujëvara e Bogovës në Parkun Kombëtar të Tomorit vijon të tërheqë turistë të huaj në këto ditë të nxehta vere. Administrata e Zonave të Mbrojtura, Berat ndau momente nga vizita e turistëve të huaj në këtë ujëvarë gjatë fundjavës që lamë. “Një destinacion shumë i preferuar i vizitorëve të huaj nga vende të ndryshme të botës. Këtë herë përveç turistëve gjermanë dhe polakë, kishim dhe prezencë të turistëve australianë, të cilët mesa duket po e vizitojnë më shpesh vendin tonë dhe zonat e mbrojtura”, thekson ADZM Berat. Ujëvara e Bogovës, është monument natyror dhe një nga më të bukurat në vend që vizitohet nga mijëra turistë gjatë të gjitha stinëve. Ujëvara është e lartë 20 metra bie në një pishinë të kaltër e të thellë 12 metra. Ujërat e kristalta, zhurma tunduese e ujëvarës që bie pareshtur nga shpatet, e gjelbërimi që e rrethon, si dhe prania e akullit e bëjnë atë të jashtëzakonshme dhe ndjellëse për turistët.