“Një ditë pune me Silvinjon”, në kanalin e saj zyrtar UEFA i ka dedikuar një reportazh të veçantë Kombëtares Shqiptare dhe trajnerit Sylvio Mendes Campos Junior. Momenti dhe edicioni kualifikues shumë i mirë i Kombëtares kuqezi, por edhe puna fantastike e teknikut brazilian nuk ka kaluar pa u vënë re. Reportazhi në faqen zyrtare të UEFA-s nis me një përshkrim të karrierës së Silvinjos si lojtar dhe trajner që ka kontribuar në disa vende të Europës dhe në Brazil, vendlindjen e tij. Trajneri Silvinjo tregon në kanalin zyrtarë të UEFA-s ndjesitë si timonier i Shqipërisë dhe shton se të përfaqësosh një komb është shumë speciale për lojtarët dhe trajnerin. “Lojtarët duhet ta shijojnë dhe të jenë krenarë që përfaqësojnë vendin e tyre, kjo është mënyra e të punuarit. Megjithatë kur përfaqëson vendin, gjërat ndryshojnë dhe nuk është e njëjta mënyrë tradicionale e të punuarit. Ti e di që ke shumë përgjegjësi për të luajtur dhe gjithçka duhet të bëhet me zemër, sepse përfaqëson kombin. Kjo është diçka speciale për lojtarët dhe për trajnerin” Reportazhi i Uefa-s vijon me organizimin e punës nga trajneri Silvinjo dhe stafi i tij, ndërtimi i programit stërvitor, diskutime me lojtarët ku gjithmonë mbizotëron atmosfera pozitive. Në vijim UEFA vlerëson Shqipërinë dhe e cilëson rrugëtimin e saj në këtë edicion kualifikues shumë të mirë. Ndeshja e radhës me Moldavinë shihet si një finale, pasi Shqipëria mund të sigurojë për herë të dytë në histori finalet e një turne madhor, Europianin “Gjermani 2024”. Në karrierën e tij si lojtar, Silvinjo ka luajtur nën drejtimin e Pep Guardiolës dhe Arsen Wenger, dy nga trajnerët më të mirë të historisë. Në reportazhin e UEFA-s Silvinjo i cilëson ata si të jashtëzakonshëm. “Guardiola dhe Wenger janë të jashtëzakonshëm. Nuk pretendoj të bëhem si ata. Bëj punën time si e mendoj unë. Futbolli ka ndryshuar shumë, por unë besoj tek organizimi i një ekipi”. Pjesë e reportazhit të UEFA-s është edhe Elseid Hysaj. Fillimisht mbrojtësi kuqezi jep mendimin e tij për Silvinjon, duke e cilësuar si një nga trajnerët e tij të preferuar. “E ndjek shumë, pasi është një trajner që na ka dhënë shumë dhe po na ndihmon gjithmonë. Është shumë energjik dhe na jep shumë pozitivitet si grup. Kishim shumë nevojë për këtë, pasi kemi pasur disa kohë kur nuk kishim shumë atmosferë pozitive si skuadër dhe kishim nevojë për një trajner si Sylvinho për të kaluar momentin e vështirë. Tani është padyshim një nga trajnerët e mi të preferuar”, shprehet Hysaj. Gjatë një bashkëbisedimi me trajnerin Silvinjo, Elseid Hysaj pyet trajnerin për evolucionin e rolit të mbrojtësit të krahut, por edhe për ndryshimin mes tyre. “Ka ndryshuar disi, pasi dikur nuk ishte aq taktik. Sot ka shumë taktikë në mënyrën e interpretimit të këtij roli. Lëviz, futu brenda, largoje topin jashtë zonës, mos e lër të afrohet këtu, e të tjera këshilla taktike. Sigurisht taktika është e rëndësishme, por atëherë ishte më shumë një lojë kombinimesh. Ti je shumë më agresiv dhe shumë më i fortë fizikisht. Në duelet një kundër një je shumë më mirë, pasi unë nuk i preferoja shumë”, shprehet Silvinjo. Reportazhi i UEFA-s dedikuar ecurisë fantastike të Shqipërisë dhe trajnerit të saj Silvinjo mbyllet me fjalën e këtij të fundit, i cili thotë se në Kombëtare çdo gjë bëhet me zemër pasi prezantojnë vendin në arenën Europiane dhe atë Botërore. Në fund mesazhi i Sylvinhos është i qartë: Gjithmonë besoni te lojtarët.