Një eksperiencë autentike që ndërthur natyrën, traditën dhe mikpritjen shqiptare po merr jetë në Parkun Kombëtar Germenj–Shelegur. “Një ditë me bariun” është një projekt fitues i platformës TIP Korça, i mbështetur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me GIZ, që sjell një model të ri të turizmit rural të qëndrueshëm.
Ky aktivitet i veçantë fton vizitorët të përjetojnë nga afër jetën e përditshme të barinjve të Kolonjës nga shtegtimi i bagëtive dhe shëtitjet me kuaj, te gatimet tradicionale dhe netët magjike nën yje, pranë zjarrit.
Përmes kësaj nisme, promovohet transhumanca, një traditë shekullore e zonës, duke krijuar mundësi të reja ekonomike për komunitetin lokal dhe duke ruajtur trashëgiminë kulturore. Këto aktivitete tashmë janë kthyer në pjesë të paketave turistike që i japin një zhvillim dhe nxitje turizmit rural .