Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur se përjashtimi vlen për mallrat e përdorimit vetjak ose dhurata, në varësi të llojit dhe sasive që nuk synojnë tregtinë.

Për udhëtarët që kalojnë kufirin në rrugë tokësore, vlera e lejuar është 300 euro për çdo udhëtar, ndërsa për ata që hyjnë nëpërmjet rrugës ajrore ose detare, kjo shumë është 430 euro për çdo udhëtar. Për udhëtarët nën moshën 15 vjeç, vlera e përjashtimit është 150 euro për secilin.

Megjithatë, për mallrat me natyrë jo tregtare që tejkalojnë kufirin e pataksueshëm, detyrimet doganore të importit nuk eliminohen automatikisht. Në këto raste, udhëtarët duhet të kryejnë deklarimin doganor përmes procedurës së “Deklarimit të thjeshtuar”, që garanton përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe rregullat e importit.

Ky proces synon të lehtësojë kalimin e kufirit për udhëtarët dhe të sigurojë një kontroll të rregullt doganor, duke mbrojtur tregun vendas dhe duke shmangur importin e mallrave në mënyrë të parregullt.