Thursday, November 28, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREUdhëheqësit e G7 mblidhen në Japoni 

Udhëheqësit e G7 mblidhen në Japoni 

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden mbërriti sot në Japoni përpara samitit të Grupit të Shtatë (G7) të vendeve kryesore industriale demokratike, në Hiroshima. Avioni i Biden u ul në një aeroport ushtarak në jug të qytetit pritës, Hiroshima, në Japoninë jugore. Sot mbërriti edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, para fillimit zyrtar të bisedimeve të G7 të premten. Përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, G7 përfshin Francën, Italinë, Britaninë e Madhe, Japoninë dhe Kanadanë. Në takim do të jenë edhe liderët e Bashkimit Evropian. “Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mund të udhëtojë vetë në Japoni për të marrë pjesë në samit”, sipas medias japoneze. Zyrtari i qeverisë ukrainase, Ihor Dzhokova tha se presidenti ukrainas, Zelensky do të monitorojë me kujdes situatën në fushën e betejës dhe më pas do të marrë një vendim përfundimtar. Kryeministri Fumio Kishida e ka ftuar edhe më herët Zelensky për të marrë pjesë në samitin e G7 online. Lufta në Ukrainë, gjendja e ekonomisë globale, denuklearizimi dhe marrëdhënia e Perëndimit me Kinën janë vendosur në krye të agjendës së diskutimeve të liderëve. Bisedimet do të shoqërohen me masa të gjera sigurie. Sipas policisë, do të angazhohen rreth 24 000 punonjës të personelit të sigurisë nga e gjithë Japonia, gjatë takimit, i cili zgjat deri të dielën. Parku Memorial i Paqes, të cilin krerët e shteteve dhe qeverive do të vizitojnë gjatë ceremonisë së hapjes, është rrethuar me një gardh 2 metra të lartë. Qasja në kupolën e bombës atomike është gjithashtu e bllokuar. Ndërtesa e djegur u dëmtua kur SHBA-ja hodhi një bombë atomike në qytet në vitin 1945 në fund të Luftës së Dytë Botërore, dhe tani është një simbol i paqes dhe një dëshmi e tmerrit të armëve bërthamore. Scholz tha se priste që samiti të dërgonte një sinjal të qartë kundër përdorimit të armëve bërthamore. “Ky është një vend shumë simbolik. Katastrofa bërthamore që u përjetua këtu është një kujtesë për të gjithë ne, se duhet të sigurohemi që armët bërthamore të mos përdoren kurrë”, tha Scholz. Masat e shtrënguara të sigurisë vijnë në sfondin e një sulmi të fundit ndaj kryeministrit të Japonisë Fumio Kishida, në të cilin ai mbeti i padëmtuar. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments