Një ilaç që përdoret tashmë për trajtimin akut të migrenës, ubrogepanti, ka rezultuar gjithashtu efektiv kundër simptomave që i paraprijnë dhimbjes së kokës me orë të tëra, ndonjëherë me ditë, shkruan focus.it.

Kjo është hera e parë që një ilaç është treguar se lehtëson simptomat që i paraprijnë migrenës, të tilla si rritja e ndjeshmërisë ndaj dritës dhe zhurmës, të përzierat si dhe ngurtësimi i qafës.

Procesi i “përgatitjes” për migrenën fillon shumë kohë para fazës së dhimbjes (unilaterale, intensive dhe pulsuese) në kokë.

Përafërsisht 60% e pacientëve që vuajnë nga migrena përjetojnë gjithashtu të ashtuquajturën fazë prodromale, e karakterizuar nga simptoma të tilla si lodhje e tepërt, ndryshime humori, vështirësi në përqendrim, mbindjeshmëri ndaj stimujve të caktuar ndijor dhe ngurtësi muskulore.

Këto sëmundje të pakëndshme, mund të zgjasin me ditë të tëra dhe, për ata që kanë mësuar ta njohin migrenën e tyre, janë shenja paralajmëruese të një sulmi që po afrohet.

Në disa raste, këto çrregullime pasohen nga aura, një grup më i njohur fenomenesh neurologjike me natyrë vizuale, gjuhësore ose shqisore që i paraprijnë dhimbjes së kokës.

Simptomat prodromale të migrenës mendohet se lidhen me çrregullimin e qarqeve të trurit që përfshijnë hipotalamusin, një rajon të vogël të trurit që rregullon shumë funksione trupore.

Ubrogepanti bllokon receptorët që lidhen me një molekulë që i bën nervat në kokë dhe kafkë më të ndjeshëm gjatë migrenës.

Neuroshkencëtarët në ”King’s College London” rekrutuan 438 persona të moshës 18 deri në 75 vjeç me histori migrene, të cilët ishin të aftë të dallonin shenjat e hershme të dhimbjeve të kokës, në një provë 60-ditore.

Pjesëmarrësve iu kërkua të merrnin ose një tabletë ubrogepant ose një tabletë placebo (duke alternuar dhe pa e ditur se çfarë kishin marrë në të vërtetë) sa herë që ndienin se po shfaqeshin simptomat e njohura dhe të raportonin nëse pilula që morën kishte ndonjë efekt.

Krahasuar me ata që morën një placebo, pjesëmarrësit që morën ilaçin raportuan një reduktim të simptomave jo të dhimbshme që i paraprinin migrenës.

Në vlerësimet e vetëraportuara, vullnetarët raportuan përmirësime në aftësinë e tyre për t’u përqendruar pas një ore, ndjeshmëri të reduktuar ndaj dritës pas dy orësh dhe më pak lodhje dhe ngurtësi të qafës pas tre orësh.