Shtetet e Bashkuara duan të diskutojnë një zgjatje të afatit për mosmarrëveshjen tarifore me Kinën, deklaroi sot sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.
“Do të jem në Stokholm të hënën dhe të martën me homologët e mi kinezë dhe do të punojmë për atë që ka shumë gjasa të jetë një zgjatje. Mendoj se tregtia është në një pozicion shumë të mirë me Kinën”, tha Bessent në një intervistë për transmetuesin amerikan “Fox Business”.
Afati aktual pritet të skadojë më 12 gusht, pasi tarifat ishin reduktuar për 90 ditë për të lejuar zhvillimin e negociatave mes dy vendeve.
Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur në disa hapa tarifat ndëshkuese ndaj importeve kineze në SHBA deri në 145%. Pekini, nga ana tjetër, u kundërpërgjigj me tarifa të veta prej 125% dhe vendosi kontrolle eksporti për mineralet e rralla me rëndësi industriale dhe magnetët e prodhuar prej tyre.
Njëkohësisht, Bessent rikonfirmoi afatin e mëparshëm të 1 gushtit për konfliktin tarifor me vendet e tjera, duke deklaruar se SHBA-ja planifikon të vendosë tarifa me nivele të ndryshme për importet nga këto vende. “Ky afat është mjaft i prerë”, tha Bessent.
I pyetur nëse kjo vlen edhe për BE-në, ai konfirmoi se afati zbatohet për të gjitha vendet.
Komisioni Evropian ka qenë duke negociuar me Uashingtonin për çështjen e tarifave prej disa kohësh. Trump kishte paralajmëruar tarifa prej 30% për importet e produkteve nga BE duke filluar nga 1 gushti.
Në rast se SHBA zbaton nivelin e ri të tarifave, BE-ja planifikon të kundërpërgjigjet me tarifa të tjera.