Një stuhi e fortë ere ka përfshirë pjesën më të madhe të territorit këtë të hënë. Për pasojë, në det është ndaluar lundrimi i mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit. “Era ka momente të veçanta që është edhe mbi 70 km në orë, flasim në brigjet detare.” Jo vetëm erë, por stuhia ciklonare shoqërohet këtë të hënë edhe me rebeshe shiu, më problematike pritet të jetë situata në veriperëndim të vendit. “Rebeshe shiu, stuhi detare, herë pas herë në formë shtrëngatash, në Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan, do ketë Vlora herë pas here probleme, Gjirokastër, Sarandë. Është një masë që vjen nga Afrika dhe sjell me vete grimca të Saharasë.” Të martën reshjet, por edhe era pritet të dobësohen. “Dita e martë, e mërkurë dhe e enjte do ketë reshje më të pakta. Edhe Dita e Verës, nuk do jetë një ditë ideale Vere, do ketë edhe kthjellime, sikundër edhe vranësira edhe reshje, por reshje të pakta.” Sa u përket temperaturave nga kjo e martë parashikohet rënie e tyre. “Nuk do jetë rënie drastike, mëngjeset pak më të freskëta, max 17-18 gradë përgjatë gjithë kësaj jave.” E premtja dhe fundjava rezervojnë më shumë kthjellime në vend.