Shkodra, Elbasani, Berati janë ato që po e ndiejnë edhe më shumë këtë të nxehtë pasi në këto 3 qarqe termometri ka regjistruar vlerën 43 gradë Celsius. Hakil Osmani: Në lokalitete të këtyre qarqeve, janë regjistruar temperatura shumë pranë vlerës 43 gradë Celsius. Pjesa më e madhe e territorit nuk i ka shpëtuar temperaturave maksimale mbi 40 gradë, përveç zonës së Juglindjes, ku termometri ka zbritur nën këtë vlerë. Hakil Osmani: Vija bregdetare ka përjetuar temperatura nga 39 në 40 gradë Celsius, po ashtu zonat verilindore, qarku i Kukësit ka regjistruar temperatura në 42 gradë Celsius. Por gjithë kjo masë e nxehtë ajërore që po përjeton vendi prej gati dy javësh, do të sjellë në zona të lokalizuara edhe rrebeshe shiu, ndërsa nesër temeraturat do të pësojnë rënie me 1 gradë. Hakil Osmani: Pritet që qarqe si Elbasani, por po ashtu pjesërisht kryeqyteti të kenë rrebeshe afatshkurtra, gjatë fundjavës të jetë disi më e ndjeshme rënia e temperaturës së ajrit duke bërë që maksimumet të jenë në vlerën 39 apo 40 gradë Celsius. Kjo javë e nxehtë ka shtuar edhe rastet e qytetarëve që i janë drejtuar urgjencës për shkak të luhatjeve të tensionit apo dehidratimit. Ndërsa Instituti i Gjeoshkencave, ka klasifikuar Fierin si qarku me rrezikun më të madh për t’u prekur nga zjarri, ku rreziku bëhet edhe më i madh ditën e nesërme.