Veriu dhe qendra e Shqipërisë po përjetojnë intensitetin më të lartë të këtyre reshjeve që kanë mbërthyer thuajse gjithë vendin. Sinoptikanët parashikojnë që kjo situatë të zgjasë edhe në orët në vijim. Lajda Porja: Është Lezha ajo qe ka marrë një sasi të konsiderueshme po ashtu dhe Tirana. Parashikohen reshje shiu deri vonë në mbrëmje. Megjithatë pasditja e sotme sjell fuqizim të vranësirave dhe në zonat jugore. Lajda Porja: Madje do ketë sasi të reshjeve nga 50-80 mm dhe më shumë, është një sasi e konsiderueshme duke marrë parasysh afatin kohor të shkurtër qe bien. Në të gjithë vendin rrebeshet e shiut qetësohen të enjten, për tu rikthyer sërish të premten. Lajda Porja: Ka një tjetër sistem vranësirash, ka një fuqizim, rrebeshe shiu në gjithë territorin të premten dhe të shtunën herë mesatare dhe herë me intensitet. Për pasojë shumë zona në Ultësirën Perëndimore rrezikojnë të përmbyten sërish. Lajda Porja: Shkodra, Lezha, Tirana, Elbasani, Fieri, Kavaja, Durrësi, Lushnja. Jugu do ketë më pak. Edhe fillim java e ardhshme sjell një tjetër stuhi tropikale, kjo si efekt i fenomenit të motit El Nino. Lajda Porja: Ka sinjale që deri në datën 20 do kemi stuhi të përsëritura njëra pas tjetrës. Sa i përket temperaturave, parashikohen tipike për stinën e vjeshtës. Tv Klan