Moti këtë fundjavë sjell surpriza jo shumë të këndshme për pushuesit në det. Këtë të shtunë, thuajse i gjithë territori do përfshihet nga reshjet e shiut, që sipas sinoptikanëve do bien në sasi të bollshme. “Dita e shtunë pritet të jetë në ndikimin e vranësiravë të dendura që do gjenerojnë reshje shiu si fillim në orët e para të mëngjësit në zonat veriperëndimore, gjatë paradites thuajse githë territori shqiptar do jetë në dominimin e reshjeve të shiut, mesdita do sjellë dhe rebeshe shiu në ultësirën perëndimore.” Kjo stuhi tropikale tipike për muajin Gusht do të sjellë edhe rënie të ndjeshme të temperaturave. “Temperaturat e ajrit priten që gjatë ditës së sotme të kenë një rënie të ndjeshme të tyre kryesisht gjatë orëve të mesditës pasi do të ketë një rënie me të paktën 5 apo 6 gradë Celsius, duke bërë që maksimumet të zbresin rreth vlerave 31 apo 32 gradë Celsius në ndonjë zonë të izoluar për qytetet e Ultësirës Perëndimore.” Moti pritet të përmirësohet gjatë ditës së dielë. “Dita e dielë do jetë nën ndikimin e vranësirave të shpeshta, herë pas herë momente të pakta me pika shiu, në Ultësirën Perëndimore do të jenë prezente në orët e para të mëngjesit, më pas mesdita dhe deri në mbrëmje do të kemi kryesisht mot të qëndrueshëm.” Nga e hëna e javës së ardhshme në vend do dominojnë ditët me diell, të favorshme për plazh. Dita-ditës parashikohet që temperaturat të rriten, për të shkuar deri në 36 gradë Celsius.