Pas më shumë se dy javësh nën efektin e temperaturave shumë të larta, vala e të nxehtit do tërhiqet këtë të mërkurë nga Shqipëria. Dita e fundit e kësaj vale, e marta pritet të jetë më e nxehta. Sipas meteorologëve mundësitë për të tejkaluar maksimumin e arritur më 21 Korrik në Elbasan prej 43.2 gradësh janë të larta. “Nesër është edhe kulmi i tretë i valës. Parashikohet që në zona të izoluara në qarqet Elbasan, Berat të regjistrohet temperatura 43 gradë”, shprehet meteorologia Porja. Meteorologët parashikojnë se nga e mërkura do ketë rënie drastike të temperaturave me 6-7 gradë dhe rikthim të momenteve të pakta me pika shiu. “Dita e mërkurë do të jetë me maksimalet jo më shumë se 36 gradë Celsius, pra kemi një tërheqje dhe freskimi do të jetë i menjëhershëm”. Me tërheqjen e temperaturave përvëluese, problematike do jetë era, që do rrezikojë përhapjen e flakëve në vatrat e aktivizuara në Fier dhe Vlorë. “Parashikoj që të martën, të mërkurën dhe të paktën deri në ditën e premte të fryjë një erë mesatare dhe në momente të veçanta edhe e fortë duke sjellë probleme në zonat në të cilat ka vatra zjarri”. Muaji Gusht pritet të vijë me temperatura të nxehta, por jo kaq ekstreme sa i përjetuam këtë Korrik.