Moti i paqëndrueshëm i ditëve të fundit të Marsit, do të na shoqërojnë edhe në fillim të muajit Prill. Sinoptikani Hakil Osmani thotë se reshjet e shiut në javën e parë do jenë më prezente në jug të vendit, ndërsa zonat qendrore dhe veriore do të marrin sasira më të pakta. “Do të kemi sërish vranësira të shpeshta të cilat herë pas herë do të pësojnë zhvillime duke bërë që të kemi shi, do jenë me intensitet të ulet dhe lokalisht të lartë”. Përgjatë Prillit pritet të rikthehen reshjet e dëborës në zonat e thella malore. Episodi i parë parashikohet në javën e parë të muajit. “Kryesisht në verilindje dhe juglindje në 1400 metra nga niveli i detit reshje të pakta dëbore. Në fakt reshjet e pakta të dëborës në zonat e thella malore në muajt e pranverës janë mëse tipike”. Ndërsa në Ultësirën Perëndimore temperaturat pritet të arrijnë deri në 23 gradë Celsius. “Vlerat minimale variojnë nga 3 dhe 5 gradë, ndërsa maksimalet në Ultësirën Perëndimore nga 20 deri në 23 gradë Celsius”. Pas javës së parë për disa ditë do të kemi një mot më të qëndrueshëm me intervale të gjata kthjellimesh dhe kalime të shpeshta të vranësirave. Por situata përmbyset në mesin e muajit Prill, ku në zonat e thella malore do kemi sërish rishfaqje të reshjeve të dëborës.