Turqia po planifikon të ndërtojë një mur pranë kufirit të saj perëndimor me Greqinë dhe Bullgarinë për të frenuar emigracionin e parregullt drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
”Do të ndërtohen mur dhe pengesa të tjera”, njoftoi Yunus Sezer, prefekt i provincës perëndimore të Edirnesë në kufirin greko-bullgar duke shtuar se faza e parë e projektit përfshin një pengesë prej 8,5 kilometrash, ndërtimi i së cilës deri më tani ka filluar në anën greke të kufirit, raportojnë medie të ndryshme turke.
Ai tha se janë përfunduar 325 kilometra rrugë në zonën kufitare dhe po vijon puna për ndërtimin e kullave të vrojtimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes.
Ndërkohë që vitet e fundit Ankaraja ka përfunduar ndërtimin e mureve të gjata qindra kilometra në zonat kufitare me Sirinë dhe Iranin, Athina kishte ndërtuar një barrierë prej rreth 40 kilometrash në zonën e kufirit tokësor me Greqinë.
Ka pak më pak se tre milionë emigrantë sirianë që jetojnë me leje të përkohshme mbrojtjeje në Turqi, ndërsa vendi është i prekur nga migrimi nga vende të tjera si Afganistani përmes territorit të Iranit.
Sipas një marrëveshjeje të vitit 2016, Ankaraja merr fonde nga Bashkimi Evropian për të përpunuar emigrantët në territorin e saj, në këmbim të një angazhimi nga Turqia për të ndaluar migrantët që përpiqen të arrijnë në Evropë ilegalisht jo vetëm përmes kufijve të saj tokësorë me Greqinë dhe Bullgarinë, por edhe duke kaluar detin Egje për të arritur në ishujt grekë pranë brigjeve turke.
Në periudhën janar-shkurt, 13 emigrantë humbën jetën duke u mbytur në Egje, në përpjekje për të arritur në ishujt grekë.
Sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), 2 333 migrantë vdiqën ose u zhdukën në Mesdhe vitin e kaluar.